Njoftim për Shtyp – 14 Tetor 2025

Deklaratë Zyrtare
Bankers Petroleum Albania Ltd.

Bankers Petroleum Albania Ltd. dëshiron të adresojë shqetësimet e fundit në lidhje me njoftimin e marrë nga Sindikata e Punonjësve për një grevë të mundshme në lidhje me disa kërkesa.

Si një punëdhënës përgjegjës, kompania i merr seriozisht të gjitha shqetësimet e punonjësve dhe mbetet e përkushtuar ndaj një dialogu të hapur, të ndershëm dhe konstruktiv. E kuptojmë plotësisht rëndësinë e kësaj çështjeje për punonjësit tanë; megjithatë, besojmë se greva nuk është mënyra më efektive apo më produktive për të zgjidhur këto çështje.

Në Bankers, e konsiderojmë stafin tonë si zemrën e kompanisë. Besojmë se përballemi dhe ecim përpara me sukses, së bashku, në çdo sfidë dhe arritje.

Gjatë viteve të fundit, kompania është përballur me sfida të konsiderueshme të natyrës së jashtme dhe operacionale. Luhatjet e kursit të këmbimit kanë pasur një ndikim të ndjeshëm, duke shkaktuar një rritje të kostove vendase, përfshirë pagat, në rreth 30% për shkak të shitjeve të realizuara në dollarë amerikanë. Për më tepër, fusha e naftës Patos-Marinzë, si një aset i maturuar, ka shënuar rënie të natyrshme në prodhim dhe ka nevojë për investime shtesë. Këta faktorë të kombinuar kanë ndikuar ndjeshëm në pozicionin financiar të kompanisë.

Megjithë këto vështirësi, Bankers Petroleum Albania Ltd. ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme masa proaktive për të mbështetur punonjësit e saj:

  • Në vitin 2022: U realizuan rishikime page për 66% të punonjësve, me një rritje mesatare page prej 11%.
  • Në vitin 2023: U aplikua një rritje e përgjithshme page prej 10% për të ndihmuar në përballimin e efekteve të inflacionit.
  • Në vitin 2024: 57% e punonjësve u promovuan dhe përfituan një rritje mesatare page prej 10%. Gjithashtu, u rrit me 35% kompensimi për ushqim për të gjithë stafin.

Ne vazhdojmë të ofrojmë një nga paketat më konkurruese të kompensimit dhe përfitimeve në sektorin e naftës dhe gazit në Shqipëri. Të gjithë punonjësit janë të mbuluar nga sigurimi i jetës, dhe si ata ashtu edhe familjet e tyre përfitojnë nga sigurimi i plotë shëndetësor.

Kompania mbulon raportet mjekësore në masën 100% të pagës, duke tejkaluar kërkesën ligjore prej 80%. Ndërkohë që ekipi drejtues mbetet i përkushtuar ndaj mirëqenies së punonjësve, rritje të tjera page aktualisht nuk janë të përballueshme financiarisht. Në përputhje me nenin 23.9 të Marrëveshjes Kolektive të firmosur me Sindikatën, rishikimi i pagave do të jetë prioritet sapo të krijohen kushtet financiare përkatëse.

Në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me Sindikatën, ekipi drejtues i kompanisë zhvilloi një takim zyrtar më 13 tetor 2025 me përfaqësuesit e Bordit të Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve.

Gjatë takimit, kompania ra dakord për rritjen e trajtimit ushqimor në përputhje me normat e kompanisë shtetërore të naftës. Kjo rritje ishte planifikuar të zbatohej në fund të vitit financiar, sipas kërkesës së Sindikatës.

Megjithatë, Sindikata refuzoi këtë ofertë.

Kërkesat e saj kryesore ishin: rritje page prej 9% për punonjësit me paga më të ulëta, bazuar në një listë individësh të përcaktuar më parë nga vetë Sindikata; alokimi i 1% të fondit total të pagave të kompanisë për krijimin e një fondi për Sindikatën;

Duhet të theksojmë se këto kërkesa nuk janë të përcaktuara nga Marrëveshja Kolektive e nënshkruar nga të dyja palët dhe as nga ndonjë ligj në fuqi në Shqipëri.

Sërish, dëshirojmë të evidentojmë se braktisja e vendit të punës apo pjesëmarrja në grevë nuk është një zgjidhje e dobishme, pasi sjell humbje ekonomike që ndikojnë si te punonjësit, ashtu edhe te kompania. I bëjmë thirrje mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë për të ruajtur stabilitetin operacional dhe për të siguruar përparim të përbashkët.

Bankers Petroleum Albania Ltd. rithekson se komunikimi i hapur dhe bashkëpunimi mbeten rruga më konstruktive për të ecur përpara. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj punonjësve tanë, ndaj ekselencës operacionale dhe qëndrueshmërisë afatgjatë.

Kompania riafirmon përkushtimin e palëkundur ndaj të gjithë punonjësve të saj, duke njohur se përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tyre janë gurthemeli i suksesit të Bankers.

 

Shkarko Njoftimin per Shtyp ne Shqip